-640-0-tirana-1779127329

Turistët, edhe përtej sezonit veror po mbajnë të larta çmimet e qirave në Tiranë. Veçanërisht në zonën afër qendrës së kryeqytetit, përfshirë Pazarin e Bulevardin e Ri, Rrugën e Elbasanit, stadiumin “Air Albania” apo ish-Bllokun, qiraja mujore e një apartamenti luhatet nga 700 e deri në 1 mijë e 500 euro.

“Sot që flasim janë disa kompani që japin apartamente me qira në Booking apo AirBnb që kanë nga 40 apartamente. Veçanërisht në zonat afër qendrës së Tiranës, turizmi i ka shtrenjtuar shumë qiratë”, shprehet Erjon Alimema, agjent i pasurive të patundshme.

E teksa flukset e turistëve vijojnë të rriten, me pjesën më të madhe të tyre që “ngecin” në Tiranë, agjentë imobiliarë paralajmërojnë më shumë dhimbje koke për të gjithë.

“Po krijohet një situatë ku banori i Tiranës po konkurron me turistin për të njëjtin apartament. Dhe kur oferta për familjet pakësohet, çmimi rritet automatikisht. Nëse kjo vazhdon, do ta kemi gjithnjë e më të vështirë të gjejmë apartamente me çmime të përballueshme”, deklaron Gjin Gjoka, sipërmarrës në “Real Estate”.

Sipas të dhënave të AirDNA, e cila analizon statistikat për strukturat e akomodimit me qira ditore nga platforma Airbnb, numri i apartamenteve dhe shtëpive të listuara për dhënie me qira ditore në Tiranë ka arritur në rreth 50 mijë.

“Duhet të ketë një ekuilibër mes turizmit dhe nevojave të qytetit. Nuk mund të shndërrohet çdo apartament në një njësi akomodimi, sepse në fund Tirana duhet të jetë një qytet ku njerëzit edhe jetojnë, jo vetëm një destinacion ku turistët qëndrojnë”, thotë Gjin Gjoka, sipërmarrës në “Real Estate”.

Sipas studimeve të Bankës së Shqipërisë çmimet e shitblerjen së apartamenteve në kryeqytet po zbuten, por e kundërta po ndodh me qiratë. /A2