-900-0-1771346171xrama-telefonon-thacin-775

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bisedë telefonike me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e 18-vjetorit të pavarësisë. Përmes një postimi në rrjete sociale, Rama ka publikuar në video me pjesë nga telefonata.

“Gëzuar pavarësinë, Komandant”, e nisi Rama bisedën me Thaçin, teksa më pas i shpreh shqetësimin e tij për gjyqin që po zhvillohet në Hagë. Telefonatën e mbyll, duke i shprehur keqardhjen që s’mund të bëjë më shumë për të: “Vëllai im, të përqafoj, të dua shumë, më vjen keq që s’bëj dot më shumë. Gëzuar dhe të fala shokëve”.

“Prej vitesh telefonata e urimit të 17 shkurtit nga Haga është e vështirë emocionalisht, por sot Komandanti ishte si asnjëherë i qetë në zërin e tij, duke ma përsëritur dy herë, në fillim e në fund, “Unë e kam fituar përjetë lirinë dhe kudo të ndodhem atë nuk ma merr dot kurrë askush!””, ka shkruar Rama.

Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-liderët e tjerë të UÇK-së ndodhen në Hagë, teksa gjyqi ndaj tyre po shkon drejt fundit. Prokuroria ka kërkuar për katër të akuzuarit nga 45 vjet burgim për secilin, në total 180 vjet burg. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.