Qeveria ka miratuar vendimin për indeksimin e pensioneve me 2.5 për qind, i cili hyn në fuqi më 1 tetor 2025. Nga kjo rritje do të përfitojnë gjithsej 721,398 pensionistë në të gjithë vendin. Prej tyre, 607,567 marrin pension pleqërie, 65,926 përfitojnë pension invaliditeti dhe 47,905 përfitojnë pension familjar.
Vendimi i botuar në Fletoren Zyrtare përcakton se indeksimi do të aplikohet edhe për të gjitha pensionet që caktohen pas datës 1 tetor 2025, me kusht që e drejta për pension të ketë lindur deri në 30 shtator 2025. Rritja do të përfshijë të gjitha kategoritë e përcaktuara me ligj, përfshi pensionet e pleqërisë, invaliditetit, pensionet familjare, pensionet sociale, si dhe trajtimet e veçanta financiare për ushtarakët, policinë, minatorët, punonjësit e industrisë së naftës dhe gazit, punonjësit e arsimit dhe kërkimit shkencor, veteranët, invalidët e luftës, familjet e pilotëve, efektivat e forcave të armatosura dhe kategori të tjera të mbrojtura me ligj.
Vendimi garanton gjithashtu kufijtë minimalë dhe maksimalë të pensioneve. Pas indeksimit, pensionet e plota të pleqërisë dhe invaliditetit nuk do të jenë më pak se 18,335 lekë dhe as më shumë se 36,670 lekë në muaj. Pensionet e plota të anëtarëve të kooperativave bujqësore do të jenë jo më pak se 12,554 lekë dhe jo më shumë se 18,335 lekë. Ndërkohë, pensionet e parakohshme që caktohen pas 1 tetorit 2025 nuk do të jenë më pak se 18,335 lekë. Masa e pensionit të plotë social do të jetë 9,953 lekë në muaj.
Krahas pensioneve të indeksuara, pensionistët do të vazhdojnë të përfitojnë edhe kompensime për të ardhura mujore minimale dhe kompensime për ndryshimet e çmimeve të energjisë, bukës, vajgurit dhe gazit të lëngshëm, sipas vendimeve të mëparshme të Këshillit të Ministrave. Po ashtu, përfituesit e pensioneve familjare do të marrin edhe kompensimet e përcaktuara për të ardhura dhe për ndryshimet e çmimeve, në varësi të kategorisë ku bën pjesë mbajtësi i pensionit.
Efektet financiare të vendimit llogariten në 1.14 miliardë lekë. Nga kjo shumë, 1.106 miliardë lekë do të përdoren për pagesat e përfitimeve të pensionistëve, ndërsa 34 milionë lekë janë parashikuar për shpenzime teknike dhe komisionet e shërbimit të pagesave përmes Postës Shqiptare dhe bankave të nivelit të dytë.
Ky vendim shënon vijimin e politikës së indeksimit të pensioneve, duke synuar ruajtjen e fuqisë blerëse të pensionistëve në kushtet e ndryshimeve të çmimeve dhe inflacionit./gazetajone



