-640-0-fde57020-1efc-11f1-ba8d-c985cd7dd7c1-1773440290

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se beson se Rusia po e ndihmon “pak” Iranin, duke përmendur mbështetjen e SHBA-ve për Ukrainën si një justifikim të mundshëm.

Në një intervistë për Fox News të premten në mëngjes, Trump u pyet nëse mendon se Vladimir Putin po mbështet Iranin pas sulmeve amerikano-izraelite në këtë vend.

Ai u shpreh kështu:

“Mendoj se ndoshta po e ndihmon pak, po. Dhe ndoshta mendon se ne po ndihmojmë Ukrainën, apo jo? Po, edhe ne po e ndihmojmë. Pra, ai thotë kështu, dhe Kina do të thoshte të njëjtën gjë. Në të vërtetë, ata e bëjnë dhe ne e bëjmë”.

Nga ana tjetër, sekretari britanik i mbrojtjes, John Healey, tha se “dora e fshehtë” e Putinit qëndron pas metodave ushtarake të Iranit.

Ai sqaroi se pilotët e dronëve iranianë dhe proxy-t e Iranit po përdorin gjithnjë e më shumë taktika “nga rusët”.

Që nga sulmi amerikan-izraelit më 28 shkurt, Irani ka lëshuar mbi 2,000 dronë Shahed, armë me rreze të gjatë që Rusia i ka përdorur gjerësisht kundër Ukrainës, në Lindjen e Mesme.

Së fundi, raportime nga Washington Post dhe media të tjera treguan se Moska po furnizonte Teheranin me informacione mbi asetet ushtarake amerikane në rajon.

Megjithatë, Putin mohoi çdo përfshirje ruse gjatë një bisede telefonike me Trump, sipas të dërguarit të veçantë të SHBA-ve, Steve Witkoff.