Gjyqi për vrasjen makabre të Liridona Ademaj në Kosovë ka nisur zyrtarisht dhe marrja e dëshmive në sallën e gjyqit ka tronditur opinionin publik, për shkak të emrave që po dalin nga të akuzuarit për krimin që u tentua të kamuflohej si grabitje.
Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës, akuzohet se ka paguar Granit Plavën që të ekzekutonte Liridonën, kurse kushëriri i tij Kushtrim Kokalla akuzohet se ka pasur dijeni për planifikimin e vrasjes.
Dje, në skenë doli emri i biznesmenit Behgjet Pacolli, i cili dy vite më parë kur ndodhi krimi makabër ka pranuar se kishte njohje familjare me çiftin Naim Murseli dhe Liridona Ademaj. Vrasësi i Liridonës tha se biznesmeni e dinte për krimit, duke nxitur reagim të ashpër të Pacollit.
“Njerëzit më të rrezikshëm nuk janë gjithmonë ata që bota i njeh si të këqij; shpesh janë ata që i ke ndihmuar më së shumti, e që, sapo ua ndal dorën, kthehen kundër teje me helm, përgojim dhe pabesi.
Ata harrojnë të mirat që kanë marrë, harrojnë dorën që i ka mbajtur dhe fjalën që i ka mbrojtur. Dhe kur nuk munden më ta mbajnë peshën e zgjedhjeve të veta, kërkojnë të shpëtojnë duke përmendur emra që nuk u përkasin më jetës së tyre. Kjo nuk është forcë. Kjo është varfëri karakteri”, shkroi ai.
Ndërkohë, sot ka dalë dhe emri i ish-bashkëpunëtorit të Behgjet Pacollit, Valon Llukës. Kushëriri i Naim Murselit, ka deklaruar se dhomën e hotelit ku ka qëndruar pasi ndodhi krimi, ja ka paguar pikërisht administratori i shkarkuar i Aeroportit të Vlorës.
I akuzuari Kushtrim Kokalla ka deklaruar në gjykatë se për vrasjen e Liridona Ademajt ka mësuar fillimisht nga portalet dhe jo nga përfshirja direkte në ngjarje. Ai shtoi se fillimisht kishte menduar se bëhej fjalë për një grabitje, pasi lajmet e para raportuan për këtë.
Ai deklaroi gjithashtu se kishte shkuar në Prishtinë bashkë me familjen e tij për të qëndruar pranë familjes Ademaj, duke theksuar se nuk kishte pasur rol në ngjarje. Për qëndrimin në hotel, Kushtim Kokalla tha se dhomën e kishte paguar një mik, Valon Lluka, pasi ai nuk kishte mundësi të përballonte koston e një dhome luksoze.
Deri në Shtator 2025, Valon Lluka ka qenë administratori i Shoqërisë “Vlora International Airport – VIA Sh.p.k.”, kur për shkak të përplasjeve mes Behgjet Pacollit dhe ortakut të tij Valon Ademi, e pësoi edhe bashkëpunëtori Valon Lluka.



