4 nga objektet kryesore të prodhimit të raketave balistike të Iranit, si dhe të paktën 29 vende lëshimi të tyre, janë goditur në 4 javët e sulmit SHBA-Izrael. Synimi është të dobësohet strategjia kryesore ushtarake e Teheranit, sipas një analize të Washington Post dhe vlerësimeve të ekspertëve.
Që nga fillimi i luftës, SHBA-të dhe Izraeli kanë kryer mijëra sulme ndaj objektivave ushtarake. Investigimi i gazetës amerikane dokumenton gjerësisht dëmet në objektet e raketave balistike, si dhe pasojat për të ardhmen e programit iranian.
Sulmet shkatërruan objektet e lëshimit mbi tokë, bllokuan përkohësisht aksesin në raketat e ruajtura në objektet nëntokësore dhe ndaluan aftësinë për të prodhuar raketa të reja. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se programi raketor i Iranit nuk është neutralizuar.
“Ata vazhdojnë të lëshojnë raketa. Kjo është çështja kryesore”, thotë Tom Karako, drejtor i Projektit të Mbrojtjes nga Raketat në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
Disa analistë besojnë se programi nuk mund të shkatërrohet plotësisht, duke përmendur aftësinë e regjimit iranian për t’u riorganizuar pas sulmeve dhe aksesin e tij në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit. Në të njëjtën kohë, Irani po përdor lëshues të lëvizshëm, numri i të cilëve mbetet i panjohur.
“Nuk e shoh Iranin të ndryshojë rrënjësisht strategjinë e tij për sa kohë që regjimi mbijeton. Raketat do të mbeten pengesë kryesore kundër agresorëve” – vëren Nicole Grajewski e Carnegie Endowment.
Administrata Trump e ka bërë shkatërrimin e programit raketor të Iranit një qëllim kryesor të luftës. Në një takim informues me gazetarët më 19 mars, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, tha se sulmet amerikane kishin shkatërruar “fabrikat, linjat e prodhimit që ushqejnë programet e tyre të raketave dhe dronëve”.
Në të njëjtën ditë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se arsenali i raketave dhe dronëve të Iranit është dobësuar shumë, duke shtuar se këto sulme, krahasuar me ato të qershorit, synojnë fabrikat që “prodhojnë komponentë për ndërtimin e këtyre raketave”.
Pete Hegseth raportoi gjithashtu se sulmet raketore iraniane ndaj vendeve fqinje kanë rënë me 90% që nga fillimi i luftës. Megjithatë, kreu i Shtabit të Përbashkët të SHBA-së, Komandanti Dan Kaine, pranoi se Irani ende ruan kapacitete raketore.
Dy ditë më vonë, më 21 mars, Izraeli pretendoi se për herë të parë, Irani kishte lëshuar raketa balistike me rreze të mesme veprimi kundër bazës së përbashkët ushtarake britaniko-amerikane në Diego Garcia, në Oqeanin Indian, në një distancë prej gati 4,000 kilometrash.
Ndërtimi, zhvillimi dhe testimi i raketave balistike në Iran mbështetet në një rrjet objektesh nën mbikëqyrjen e Gardës Revolucionare dhe Ministrisë së Mbrojtjes, sipas ekspertëve ushtarakë iranianë.
4 nga objektet më të rëndësishme, ku prodhohet karburant për raketat balistike, kanë pësuar dëme serioze nga sulmet amerikane dhe izraelite, madje edhe më të mëdha se ato të regjistruara në luftën 12-ditore të qershorit të kaluar dhe sulmet e tetorit 2024.
Këto janë komplekset ushtarake të Hojirit, Parchin, Hakimiyye dhe Shahrud, ku prodhohen lëndë djegëse kritike shtytëse dhe montohen sisteme armësh.
4 ekspertë që analizuan imazhet satelitore për Washington Post vlerësojnë se dëmi ka të ngjarë të ketë pezulluar aftësinë e Iranit për të prodhuar raketa balistike me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi derisa të rikthehen në funksion objektet.
Imazhet satelitore tregojnë se katër zona kyçe të kompleksit të raketave Khojir, në lindje të Teheranit, u goditën nga sulmet ajrore amerikane ose izraelite. Sulmet kishin në shënjestër sisteme komplekse për prodhimin e lëndëve djegëse të ngurta dhe të lëngshme, thelbësore për raketat balistike, sipas studiuesit Sam Lehr të Qendrës James Martin për Studime të Mospërhapjes.
Raketat balistike lëshohen në lartësi të mëdha përpara se të kthehen në tokë me shpejtësi jashtëzakonisht të larta. Sipas ekspertëve, sistemet iraniane përdorin lëndë shtytëse të ngurta ose të lëngshme.
Lëndët djegëse të ngurta janë më të zakonshmet, të përdorura kryesisht në raketat me rreze të shkurtër veprimi dhe konsiderohen më efikase në kushte lufte. Në të kundërt, lëndët djegëse të lëngshme përdoren kryesisht në raketat me rreze të gjatë veprimi, por kërkojnë procedura më të gjata furnizimi me karburant, gjë që i bën ato më të prekshme nga sulmet.
Në total, të paktën 88 objekte karburanti u shkatërruan në kompleksin Khojir, sipas imazheve satelitore të 24 marsit.
Sean O’Connor, një analist i imazheve satelitore në firmën e inteligjencës mbrojtëse Jane’s, thotë se nëse Irani dështon në rindërtimin e forcave të tij raketore, do të humbasë një nga avantazhet e tij më të rëndësishme mbrojtëse në Lindjen e Mesme.



