SPAK ka goditur një prej grupeve kriminale më të mëdha të përfshira në trafikun ndërkombëtar të kokainës, të drejtuar nga Dritan Gjika dhe Eldi Dizdari, i cili dyshohet se ka transportuar të paktën 50 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Medias belge “GVA”, disa kohë më parë publikoi një shkrim për Dizdarin.
Shkrimi nis me ndalimin e tij nga dy oficerë policie, për shkak se po lëvizte me shpejtësi të lartë me një ‘BENZ’ luksoz në autostradën Anversw-Einthoven.
Oficerët nuk e dinin se shoferi ishte Eldi Dizdari, një nga personat më të kërkuar nga autoritetet në Shqipëri, Itali, Holandë dhe Belgjikë.
“Asnjë nuk e dinte se kishin ndaluar Eldi Dizdarin, një nga peshat e rënda të mafies shqiptare të drogës”, thuhet në artikull.
Në shkrim vihet në dukje se ai ka kombësi belge dhe ka një fëmijë me ish- missin Suada Sherifi.
“Ai është ose ka qenë i martuar (ende nuk janë të qartë)’, thuhet në shkrim, teksa theksohet se kjo e fundit ka 9 prona në Dubai në emrin e saj, me një vlerë totale të blerjes prej 17.8 milionë euro.



