IMG_2724

Detaje të reja dalin nga vrasja e 20-vjeçarit francez, i cili u gjet pa shenja jete mëngjesin e sotëm në shezlongët e plazhit pranë “Principote” në Ksamil.

I dyshuari për vrasjen është Sokrat Vata, 29 vjeç, nga Hasi, i cili sipas të dhënave paraprake dyshohet se ka goditur me thikë të riun francez gjatë një konflikti për motive të dobëta dhe më pas është larguar nga vendngjarja. Policia po vijon kërkimet për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

Vata rezulton një emër i njohur më parë për drejtësinë britanike. Në shtator të vitit 2024, Gjykata e Kurorës në Cambridge e dënoi atë me 5 vite burg. Ai kishte pranuar fajësinë për dy akuza për posedim me qëllim furnizimin me drogë të klasit A, dy akuza për drejtim të rrezikshëm të automjetit, posedim kanabisi dhe drejtim automjeti nën ndikimin e drogës.

Sipas mediave britanike, më 30 prill 2024 Vata po drejtonte një Toyota RAV4 të vjedhur në Cambridge kur policia tentoi ta ndalonte. Ai u largua me shpejtësi, braktisi më pas automjetin dhe hodhi një pako me kokainë në një shkurre. Pas ndjekjes nga policia, u gjet i fshehur në oborrin e pasmë të një banese. Atij iu gjetën edhe 560 paund cash dhe rezultoi pozitiv në testin për drejtim nën efektin e drogës.

Hetimet britanike e lidhën atë edhe me një episod tjetër të 13 prillit 2024 në Kent, ku automjeti i klonuar që drejtonte u përmbys teksa përpiqej t’i largohej policisë. Në makinë u gjetën disa pako me kokainë dhe targa automjetesh.

Pavarësisht dënimit me pesë vite burg në shtator 2024, Vata ndodhej tashmë në Shqipëri. Rrethanat e lirimit të tij nga autoritetet britanike mbeten për t’u sqaruar.

Ngjarja në Ksamil u zbulua rreth orës 05:15, kur 20-vjeçari francez M. M. u gjet pa shenja jete në shezlongët e plazhit. Ai dyshohet se ishte goditur me mjet prerës.

Grupi hetimor po punon nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen e plotë të dinamikës së vrasjes, ndërsa kontrollet vijojnë për kapjen e Sokrat Vatës.