ergys agasi ermal beqiri mirlinda

Apeli i GJKKO ka shqyrtuar sot ankimin e grupit të lidhur me dosjen e AKSHI-t, ku përfshihen Ermal Beqiri, Ergys Agasi, Mirlinda Karçanaj dhe disa biznesmenë të tjerë, ndaj vendimit të shkallës së parë për sekuestrimin e pasurive të tyre.

Gjyqtari Florjan Kalaja ka vendosur të mos lirojë asnjë pronë të Ergys Agasit, Ermal Beqirit dhe Mirlinda Karçanajt.

Burime për Skyweb.al bëjnë me dije se prona e liruar në fakt i përket një biznesmeni.

Sipas të njëjtave burime, ai ka dorëzuar në gjykatë dokumente që vërtetonin pronësinë e tij mbi apartamentin, duke bërë që gjyqtari Kalaja të vendosë lirimin e kësaj prone.

Në këtë rast, apartamenti ishte regjistruar si pjesë e pronave të sekuestruara, por në apel u paraqitën dokumente që, sipas burimeve, provonin se ai i përkiste biznesmenit.

Ndërkohë, për Mirlinda Karçanajn nuk është liruar asnjë pronë. Pasuritë e saj mbeten nën sekuestro.

Një detaj tjetër i rëndësishëm lidhet me Ermal Beqirin, i cili kishte dorëzuar një dosje voluminoze në gjykatë, duke kërkuar lirimin e pasurive të tij. Një burim i tha Skyweb.al se Beqiri ka paraqitur rreth 1 mijë faqe dokumente në mbështetje të kërkesës së tij, por gjyqtari Kalaja ka vendosur të mos lirojë asnjë pronë.

Në rastin e Andis Papës, mësohet se atij i është kthyer vetëm një shumë që tejkalonte vlerën e sekuestruar.

Sipas burimeve, sekuestroja ishte bërë në mënyrë të përgjithshme, duke kaluar shumën që duhej të qëndronte e bllokuar. Për këtë arsye, pjesa që tejkalonte sekuestron është liruar, ndërsa vlera e sekuestruar mbetet e bllokuar.