Policia e Vlorës ka dhënë detaje në lidhje me arrestimin e bosit të call centerave, Granit Pepnikaj. Blutë e Vlorës thonë se në vilën ku ai qendronte iu gjet armë dhe lëndë narkotike. Në pranga është vënë dhe Xhoni Hitaj, 29 vjeç ai konsiderohet si një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Pepnikajt.
Vlorë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Rrjetet”.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pas ndjekjes me metoda proaktive të veprimtarisë kriminale.
Kapen në Drimadhë dy shtetas të shumëkërkuar, të shpallur në kërkim për mashtrim kompjuterik, të dyshuar për përfitimin e shumave të mëdha monetare nëpërmjet skemave të call center-ave.
Vihet në pranga edhe një shtetas për përkrahje të autorit të krimit.
Gjatë kontrollit në vilën ku qëndronin u sekuestruan një armë zjarri pistoletë dhe një sasi lënde narkotike, e dyshuar cannabis sativa.
Si rezultat i ndjekjes me metoda proaktive të veprimtarisë kriminale, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Rrjetet”.
Në kuadër të këtij operacioni, mesditën e sotme, në zonën e Drimadhës, u kapën shtetasit G. P., 29 vjeç, dhe Xh. H., 31 vjeç, të shpallur në kërkim.
Shtetasi G. P., 29 vjeç, kërkohej pasi, me vendim të datës 30.04.2026, Gjykata e Tiranës i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.
Shtetasi Xh. H., 31 vjeç, kërkohej pasi, me vendim të datës 13.04.2026, Gjykata e Tiranës i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, si i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në vilën ku qëndronin, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë, si dhe një sasi lënde narkotike, e dyshuar cannabis sativa.
Në momentin e arrestimit të këtyre shtetasve u kap dhe u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, shtetasi R. R., 28 vjeç, banues në Tiranë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



