Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me arrestimin e dy kinezëve pak ditë më parë në Tiranë, të cilët akuzohen për mashtrim kompjuterik dhe vjedhjen e të dhënave të qytetarëve shqiptarë.
Përmes faqeve të falsifikuara si ‘Posta Shqiptare’, kinezët mashtronin qytetarët për të mbledhur të dhënat e tyre bankare.
Bëhet fjalë për të dhënat e mbi 5 mijë shtetasve shqiptarë, vjedhja e të cilave u parandalua nga Krimi Kibernetik në operacionin e pak ditëve më parë ku u arrestuan 2 kinezët, 51 vjeç dhe 45 vjeç.
Mësohet se përmes skemës mashtruese të kinezëve, përllogaritja e shumës që rrezikonte të vidhej shkojn rreth 5 miliardë lekë, apo 50 milionë euro, nga llogaritë bankare të shqiptarëve.
Krimi Kibernetik ka rënë në gjurmët e grupit të kinezëve nëpërmjet monitorimit të vazhdueshëm të “darkweb” dhe burimeve të hapura në internet, të cilat pasi janë verifikuar kanë çuar në identifikimin e 2 kinezëve.
Dy kinezët qëndronin në një apartament afër Tiranës, që prej 27 tetorit. Ata do largoheshin dhe pas ngritjes së infrastrukturës për marrjen e të dhënave të shtetasve shqiptarë, paratë do të tërhiqeshin nga jashtë vendit.



