Policia e Tiranës ka vënë në pranga këtë të enjte tre persona, të cilët akuzohen për shitje të paligjshme të biletave për ndeshjen e 7 qershorit mes Shqipërisë dhe Serbisë.
Personat në fjalë u identifikuan nëpërmjet rrjeteve sociale aty ku reklamonin bileta me çmime nga 300 deri në 1 mijë euro.
Në momentin e arrestimit, të dyshuarve iu gjetën me vete edhe bileta.
E shtuna e 7 qershorit, rezervon një nga duelet me të zjarrta të Ballkanit, siç është përballja Shqipëri-Serbi. Ndeshja do të luhet në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë.
Interesimi për këtë ndeshje ka qenë tejet i lartë, me rreth 200 mijë kërkesa për bileta nga tifozët.



