IMG_9495

Abuzimet në këtë vendin tonë të vogël s’kanë të sosur, pasi çdo ditë zyrtarët shtetërorë vetëm përfitojnë nga fatkeqësitë, duke mbrojtur me fanatizëm shkaktarët e tyre. Rasti i radhës vjen nga drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, i cili me këto veprime duket se do të ketë të njëjtin fat si paraardhësit e tij, Gentian Gjyli dhe Evis Berberi, i pari po hetohet e gjykohet me masën e sigurisë arrest në shtëpi dhe i dytë me masën arrest me burg.

Ende pa u përfunduar hetimi penal për shkaktarët e izolimit të juglindjes së Shqipërisë, për shkak të rrëshqitjes në Librazhd, Ami Kozeli ka hapur një tender të stërmadh, vetëm e vetëm për të stabilizuar ato rrëshqitje. Një faturë prej 21 milionë eurosh do të përdoret nga ARRSH për të segment, ndërsa nuk dihet nëse organet ligjzbatuese apo ato kontrolluese kanë apo jo shkaktar për ato rrëshqitje.

Në fakt, një firmë e projektoi ndërtimin e rrugës së re, një tjetër e ndërtoi dhe vetë Ami Kozeli kontrollonte letrat. Këtë faturë duhet ta paguajë firma projektuese e aksit, ajo që po e ndërton apo edhe ata që e mbikëqyrnin, apo zyrtarët që vetëm sa ngrohin karriget dhe firmosin çfarë u servirin eprorët. Por, skandali thellohet më tej për shkak se të gjitha institucionet kanë mbyllur sytë dhe mundohen ta heqin përgjegjësinë nga vetja, duke hapur tenderin e radhës, që vetëm rëndon buxhetin dhe fut dorën thellë në taksat e shqiptarëve të varfër.

Në vend që të ketë të akuzuar, të dalin para gjyqit, apo t’u sekuestrohet pasuria, ARRSH i vendos kapakun një prej skandaleve më të mëdha të ndodhura kohët e fundit, pasi rrëshqitja jo vetëm izoloi një krahinë të tërë, rëndoi xhepat e tyre, por tani vijon të “hajë” taksat e atyre banorëve.

Çmenduria e Ami Kozelit të ARRSH - Hap tender 21 milionë euro

Faksimile: Tenderi i hapur nga ARRSH për stabilizimin e rrëshqitjeve në Dragostunjë të Librazhdit

Duket se, Ami Kozeli po mundon të mbulojë këtë skandal, duke hapur me shpejtësi tenderin për stabilizimin e atyre rrëshqitjeve. Në fakt, vlera e tenderit është edhe dëmi që vetë Kozeli, apo të tjerë, kanë abuzuar me detyrën. Nëse Kozeli, Gjyli apo Berberi, do ta kishin projektuar, ndërtuar, mbikëqyrur mirë procedurën, atëherë buxheti i shtetit s’do të ishte detyruar të shpenzonte këtë shumë për këto rrëshqitje. Fjalët e Kozelit se “toka është ngopur me ujë”, apo zyrtarëve të tjerë se “fajin e ka shiu, natyra”, po gjejnë zbatim, pasi edhe Prokuroria e Elbasanit ende nuk ka dalë në përfundimin nëse kishte apo jo fajtor.

Fajtori dihet, letrat janë aty dhe mjafton që të hapen, analizohen apo kryqëzohen, dhe fajtorët dalin në pah. Aq më tepër tani, që të njëjtët fajtorë po mundohen ta mbulojnë atë që s’thuhet me tenderin e radhës. Sipas dokumenteve që disponon Vox News, ARRSH ka gati tenderin me objekt “stabilizimi i rrëshqitjes në aksin Librazhd – Qafë Thanë, (Dragostunjë)”. Fondi limit është plot 2,041,666,670 lekë, ose mbi 21 milionë euro. Bëhet fjalë për punime rrugore, në të gjithë gjatësinë e rrëshqitjeve.

Çmenduria e Ami Kozelit të ARRSH - Hap tender 21 milionë euro

Faksimile: Njoftimi i fituesit të tenderit të shpallur nga ARRSH për emergjencën në Dragostunjë të Librazhdit

Disa javë më parë, Vox News publikoi një investigim se Agim Kola që shkaktoi shembjen në Librazhd fiton tenderin e rrëshqitjeve. “Tenderi i hapur me urgjencë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për situatën e rrëshqitjeve në Librazhd është fituar nga e njëjta firmë që shkaktoi bllokimin për disa ditë të një krahine të tërë. Kompania A. N. K. me pronar Agim Kolën po ndërton rrugën e re, ndërkohë që punimet shkaktuan shembje. Dhe, për ironi të fatit, Agimi ka fituar sërish para’ nga e gjithë ajo situatë”, do të shkruante redaksia jonë.

Dokumentet që hulumtoi në atë kohë Vox News tregojnë se, i gjithë procesi duket se ka qenë i paracaktuar, pasi drejtuesit e rinj të Autoritetit Rrugor Shqiptar, tashmë të drejtuar nga Ami Kozeli, kanë bërë negocime me firmën e Kolës që të hidhte disa makina me inerte në vendin e shembjes. Por, a nuk është nën hetim kjo kompani për këto shembje? A ka një procedim të hapur nga Prokuroria e Elbasanit për të gjithë situatën?

Një nga kompanitë që po hetohet apo duhet të hetohet është padyshim A. N. K, e cila ka fituar tenderin e madh, ndërkohë që nuk mbetet pas as firma projektuese apo edhe vetë drejtuesit e ARRSH-së. Të gjithë janë përgjegjës për situatën e krijuar, ku mijëra banorë mbetën të bllokuar për disa dite dhe për të udhëtuar në drejtim të Tiranës apo qyteteve të tjera, u duhej të bënin qindra kilometra më shumë. Por nëse deri në atë kohë s’ka pasur dëm ekonomik, po tenderi i riparimeve me emergjencë a nuk është një dëm në arkat e shtetit?

Kola fitoi tenderin “emergjencë, masa parandaluese mbi rrëshqitjen në zonën e quajtur ‘Ligata e Bicit’, Dragostunjë”, me një fond limit prej 93,702,755 lekë, pa TVSH. Kohëzgjatja e kontratës për zbatimin e saj është 2 muaj e 14 ditë.

Çmenduria e Ami Kozelit të ARRSH - Hap tender 21 milionë euro

Faksimile: Njoftimi i ARRSH për shpalljen e firmës fituese për ndërtimin e lotit 4 të aksit Elbasan – Qafë Thanë

Vox News ka ndjekur në vijimësi tenderat e këtij aksi, teksa ka publikuar një investigim për shkaktarët e shembjes së rrugës në Dragostunjë. Në fund të vitit 2023, pasi më parë ishte bërë projektimi me raportet përkatëse, Autoriteti Rrugor Shqiptar, i cili në atë kohë drejtohej nga Evis Berberi, aktualisht i arrestuar për abuzime të tjera, si në ARRSH apo në KESH, shpalli firmën fituese që do të ndërtonte lotin e katër të atij segmenti.

Fitues u shpall kompania “A. N. K.”, e cila fitoi tenderin me vlerë 2.5 miliardë lekë, ose me këmbimin e sotëm valutor, mbi 25 milionë euro. Kohëzgjatja e punimeve është 24 muaj, teksa lidhja e kontratës u bë në vitin 2024. Aktualisht, pronari me letra i firmës ANK, e cila fitoi gjithashtu të gjitha tenderët e ndërtimit të segmentit Korçë – Ersekë, është Agim Kola, vëllai i ish-deputetit të PS-së Ndue Kola.

Duket se, edhe procedura e radhës, e hapur së fundmi me një vlerë prej 21 milionë eurosh, është e destinuar të shkojë për Agim Kolën. Nuk përjashtohet që fitues të dalë edhe firma 2T, e cila është mjaft aktive në atë zonë.