Dalja në dritë e disa dokumenteve zyrtare ka hapur një çështje të fortë mbi funksionimin dhe kontrollin e sistemit bankar në Shqipëri, duke vënë në qendër të vëmendjes strukturën drejtuese të Jet Bank Albania.
Sipas dokumenteve të publikuara, një nga figurat kyçe që lidhet me këtë bankë rezulton të jetë Oliver Hemmer, i identifikuar si drejtues menaxhues i kompanisë GRF Europe OU, e cila operonte për llogari të 4XFX, një kompani e lidhur me shtetasin izraelit Gal Barak.

Ky i fundit është dënuar me 4 vite burg në Austri për përfshirje në një skemë mashtrimi me call center-a, me një dëm të vlerësuar rreth 200 milionë euro në disa vende europiane, përfshirë Gjermaninë, Austrinë dhe Spanjën.
Në një tjetër dokument, Hemmer rezulton gjithashtu drejtues i kompanisë Constador LTD, e regjistruar në Qipro, e cila zotëron 71 për qind të aksioneve të Jet Bank, e konsideruar si banka e parë online në Shqipëri.

Kjo lidhje ngre pikëpyetje serioze mbi filtrat e verifikimit të aplikuar gjatë procesit të licensimit.
Çështja merr dimension më të gjerë përtej një rasti individual, pasi prek drejtpërdrejt rolin e Bankës së Shqipërisë dhe standardet e kontrollit të integritetit në dhënien e licencave bankare.
Dokumentet sugjerojnë se marrëdhëniet dhe lidhjet mes individëve të përfshirë nuk mund të konsiderohen thjesht çështje administrative, por pjesë e një strukture më komplekse me implikime ndërkombëtare.
Në thelb, shqetësimi kryesor lidhet me faktin nëse Shqipëria po rrezikon të shndërrohet në një hapësirë financiare për struktura të dyshimta që kanë operuar më parë në skema mashtrimi në vende të Bashkimit Europian.
Nëse këto zhvillime nuk marrin një reagim institucional, rasti i Jet Bank rrezikon të kthehet në një precedent që cenon besueshmërinë dhe stabilitetin e sistemit bankar në vend. /gazetajone


