“Ibrahim Lici më kërcënoi në telefon. Më tha: Jeta jote kaq e pati! Në moment Jurgen Zotaj më sulmoi me thikë”. Kjo është një pjesë e dëshmisë së Denis Bajrit alias Brajovic, anëtar i grupit kriminal Bajri, i cili u sulmua brenda qelisë në burgun e Fierit.
Denis Bajri, i cili akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e Gjin Ndojit Boricit në Vaun e Dejës në 2020, iu tha hetuesve se sulmin ndaj tij e urdhëroi Ibrahim Lici, që njihet si kundërshtar i përbetuar i grupit Bajri. Ai shpjegoi se Aldo Gjini kishte kërkuar ta takonte dhe ai pranoi për shkak të njohjes me të, por u sulmua në përpjekje për ta vrarë.
“Erdhi në qeli bashkë me Jurgen Zotajn. Më dhanë një telefon, përmes të cilit Ibrahim Lici më kërcënoi: Më tha: jeta jote kaq e pati!”, deklaroi Bajri. Ai tha se më pas u sulmua me një thikë artizanale dhe gjatë përleshjes, si ai dhe Zotaj mbetën të plagosur.
Prokuroria e ka sekuestruar celularin dhe dërguar për ekspertim, ku mund edhe të gjenden prova lidhur me përfshirjen e të shumëkërkuarit Ibrahim Lici.
Pas ngjarjes, Komisioni i Disiplinës në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, që u mblodh pasditen e së dielës, vendosi të izolojë me 3 muaj Gjinin dhe Zotajn dhe t’i transferojë përkatësisht në Drenovë e Burrel. Njëherazi u propozua izolimi i tyre në regjimin e posaçëm 41 bis. Komisioni vendosi po ashtu të përjashtojë 8 efektivë të policisë dhe t’i referojë në prokurori për shpërdorim detyre. Hetimet për ngjarjen brenda burgut të Fierit po kryhen nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Burgje në bashkëpunim me prokurorinë./vna.al



