Lutfi Dervishi
Në Zvërnec nuk u poshtërua vetëm një protestues që u mor zvarrë. U poshtërua vetë institucioni i policisë.
Kur disa gango civilë hedhin spraj piper, gurë dhe ushtrojnë dhunë ndaj protestuesve paqësore para syve të efektivëve, dhe këta të fundit ulin kokën, qytetarët fillojnë të pyesin se kush është shteti.
Më keq akoma, pas ngjarjes, policia gënjeu.
Kur pamjet filmike treguan krejt të kundërtën pasoi një ndjesë publike (për herë të parë) dhe më pas shkarkimi i drejtorit.
Por problemi nuk është vetëm gënjeshtra.
Problemi është se policia veproi sikur “shteti” të ishte pala që kishte pronësinë mbi gardhin me tela me gjemba.
Në vitin 2020, pas vrasjes së të riut Klodian Rasha, policia dha versione që u rrëzuan shumë shpejt nga faktet. Pas valës së protestave, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, dha dorëheqjen.
Edhe më herët kemi parë raste kur grupe kriminale apo individë të lidhur me botën e krimit kanë tentuar të përcjellin të njëjtin mesazh: “shteti jemi ne”. Kujtojmë këtu dhunën me shkopinj bejsbolli nga Rrajat, ngjarje që çoi në dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi.
Në çdo rast, përtej goditjes së viktimës, dëmi më i madh shkaktohet kur policia heziton të reagojë, kur mbyll sytë, kur relativizon ose kur përpiqet të justifikojë atë që publiku e ka parë qartë me sytë e vet.
Në protestat e opozitës, ndërkohë, kemi parë një polici krejt tjetër.
Aty ajo nuk ka hezituar të përdorë gaz lotsjellës, ujëhedhës, kordonë dhe arrestime. Në këto raste, shteti shfaqet me të gjithë forcën e tij. Por, kur përballë ka “gango” që ushtrojnë dhunë, policia zbythet.
Ky standard i dyfishtë është burimi i mosbesimit dhe pika që e derdh zemërimin në rrugë.
Edhe arrestimi i dhunshëm i ish-Presidentit të Republikës mbetet në kujtesën e shume qytetarëve si një tjetër moment kur policia u perceptua më shumë si instrument force sesa si garant i ligjit.
Ngjarja në Zvërnec nuk është rrufe në qiell të pastër. Shkreptimat dhe vetëtimat janë dëgjuar dhe më parë edhe më herët.
Një shtet demokratik funksionon mbi një parim të thjeshtë: monopoli i forcës i përket vetëm shtetit dhe ushtrohet ekskluzivisht në mënyrë proporcionale sipas ligjit.
Në momentin kur qytetarët shohin se dhuna tolerohet, justifikohet apo mbrohet, ndërsa ligji zbatohet me dy standarde, shteti fillon e humbet autoritetin e tij moral.
Dhe historia tregon se ngjarjet e mëdha rrallëherë paralajmërohen.
Ato ndodhin kur grumbullohen shumë padrejtësi të vogla, heshtje, apati, arrogancë dhe shumë gënjeshtra.
Pastaj vjen një moment kur shoqëria thotë vetëm dy fjalë: “Boll më!”…dhe mjafton një pikë për të derdhur gjithë gotën dhe për të krijuar një reaksion zinxhir që nuk dihet ku dhe si përfundon!



