Deklarata e Policisë së Shtetit se efektivi që plagosi deputetin demokrat Kliti Hoti nuk kishte urdhër për të qëlluar me plumba gome ngre pikëpyetje të tjera pas publikimit të një fotografie nga gazetari Isa Myzyraj.
Gazetari ka publikuar në rrjetet sociale një imazh ku shfaqen dhjetëra predha, të cilat, sipas tij, i ka mbledhur gjatë protestës së kësaj të diele në kryeqytet.
“‘Nuk kishte urdhër për të qëlluar me plumba gome’ – thotë policia. P.S. Këto i kam mbledhur sot në më pak se një orë”, shkruan Myzyraj.
Dëshmia e gazetarit ngre pikëpyetje mbi përmasat e përdorimit të plumbave të gomës gjatë protestës dhe përgjegjësinë e zinxhirit komandues të Policisë së Shtetit.
Sa efektivë kanë qëlluar? Kush e ka autorizuar përdorimin e municioneve? A bëhet fjalë për një veprim individual apo për një praktikë më të gjerë gjatë menaxhimit të protestës?
Fotografia nuk provon se kush ka qëlluar apo me çfarë urdhri, por e bën të domosdoshëm një shpjegim që shkon përtej pezullimit të një efektivi.



