Studentët kanë kërkuar hetimin e të gjithë zinxhirit komandues të Policisë së Shtetit për dhunën e ushtruar gjatë protestave të 28 dhe 29 Nëntorit, duke kundërshtuar kufizimin e përgjegjësisë vetëm tek efektivët që kanë përdorur forcën ndaj demonstruesve.
Në një deklaratë për mediat nga Spitali i Traumës, ku po marrin ndihmë mjekësore protestuesit e plagosur, studentët kanë kërkuar që përpara drejtësisë të dalin edhe personat që kanë dhënë urdhrat për përdorimin e forcës.
Sipas tyre, gjatë dy ditëve të protestave, policia ka përdorur gaz lotsjellës, dronë me gaz dhe plumba gome ndaj demonstruesve.
“Nuk mund të themi se dhunën e ushtron vetëm një efektiv. Duhet të ketë përgjegjësi penale edhe për efektivët që japin urdhra”, deklaruan studentët.
Ata kërkuan që ministri i Brendshëm, Ervin Demo, të mbajë përgjegjësi politike dhe institucionale për ngjarjet e dy ditëve të fundit, ndërsa i bënë thirrje Avokatit të Popullit të bëjë publike rastet e dhunës policore.
Studentët kërkuan gjithashtu reagimin e ambasadave të huaja në Tiranë, duke paralajmëruar se protestat do të vijojnë.
“Do ta vazhdojmë protestën dhe gjaku i derdhur nga ne më 28 Nëntor nuk do të harrohet. E vërteta nuk do të mbetet pa zë. Dhuna nuk mund të relativizohet”, përfundon deklarata e studentëve.



