Në vitin 2019, ura mes Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës u shemb përfundimisht, duke ndezur flakën e një lufte të re për pushtet kriminal dhe hakmarrje…
Vrasja Andi Zylyfit, djali të dajës së Erjon Alibejt, ishte shkëndija që ndezi konfliktin mes tyre. Paralelisht me konfliktet që sapo kishin marrë jetë mes grupeve të fuqishme. Nga njëra anë grupi “Çopja” dhe nga krahu tjetër grupi “Alibej”. Pa harruar edhe hasmëritë e vjetra mes grupeve të afirmuara “Çela” dhe “Çapja”.
Talo Cela, tashmë me kontratat e vdekjeve në duar, të firmosura nga vëllezërit Çopja për eliminimin dhe shkatërrimin e “grupit Alibej”, jo vetëm e anashkaloi Nuredinin, por tentoi edhe ta fuste në kurth.
“Është një hap i mirë që kemi të tilla raste, por e mira do të ishte që edhe vet shteti shqiptar të kishte struktura më të forta në drejtim të zbulimit, apo parandalimit të krimeve të rënda dhe jo të mbështetej shumë tek marrveshjet tek të penduarit e drejtësisë” u shpreh Ermira Tafani, pedagoge.
“Të gjithë personat që kanë personalitet antisocial kanë edhe emocione pro sociale tejet të kufizuara që do të thotë mungesën e empatisë edhe dhembshurisë. Por në rastet kur këto dy komponentë shoqërojnë personalitetin antisocial, atëherë lenë të dyshosh që çrregullimi i personalitetit ka trajta të psikopatisë dhe rrezikshmëria është ende më e lartë, dhe gjasat që këto individë të pendohen apo të qëndrojnë larg krimit të organizuar bëhet më vështirë.” u shpreh Almeida Xhaferi, psikologe.
Vrasja e Zylyfit ishte një urdhër nga vëllezërit Çopja, ku Hajdar Copja dhe Talo Çela shtrënguan duart në Rinas për të vulosur ekzekutimin….
Makina që u përdor në vrasjen e Andi Zylyfit ishte e Dumanit, dhe për Nuredinin, gjithçka mori hijen e një kurthi. Atentatorët jo vetëm vranë Zylyfin, por kërkuan ta fundosnin edhe Nuredinin. Ata nuk e përfshine në këtë porosi fitimprurëse, por përdorën makinën e tij. Kur policia trokiti në derën e familjes së tij, Dumani e kuptoi: kjo nuk ishte më lojë, por një skenar lufte ku armiku fshihej pas fytyrave që dikur ai i quante vëllezër…
“Ka qenë një nga konfliktet që kemi nisur ne pastaj. Nisi këtu për arsye se ndodhën dy gjëra për njëherësh, edhe benzin nuk e sollën ato, pra nuk e ktheu, edhe plus erdhi policia, për ngjarjen e vrasjes së Andi Zylyfit. Edhe përpos kësaj ne patëm edhe një, gjë tjetër, vëllai Dashnor Dumani ka pasur me Altin Ndocin një konfrontim fizik në rrugë, për një shumë 10 mijë euro. Pra për një kapar për një vrasje, po në të njëjtën kohë, ndodhi shumë shpejt ajo lloj dinamike. Pra mbas vrasjes së Andi Zylyfit, punë një muaj maksimumi, ne kemi pasur hasmëri me njëri-tjetrin”.
Në këtë lojë kriminale plot intriga, Nuredini mori një vendim që do të shënonte fatin e tij, ai kaloi në anën e Erjon Alibejt, edhe pse vëllai i tij Dashnori kishte marrë pjesë në “Masakrën e Bradasheshit. Ngjarje në të cilën Erjonit iu ekzekutua vëllai, Indriti, xhaxhai Arben Dylgjeri dhe një shtetas turk, mik i tyre. Ai vendosi të bëhej kundërshtar i atyre që njihte nga afër, një armiqësi që e çoi në përgjakje të pamëshirshme.
“Kur është vrarë Andi Zylyfi, Regis Runaj, bashkë me Ramazanin edhe disa çuna të tjerë, që nuk e di kush janë fiks. Kanë ardhur ku është pallati që rrinte Erjon Alibej, ky e kishte me kamera, të gjithë rrugën aty. Nga gëzimi kanë hedhur fishekzjarre duke brohoritur, duke bërë si të çmendur kot pa lidhje. Erjoni pa personat që po gëzohen edhe vërtetoi kush janë, pa që ishte djali tezes Kel Kamamit, Ili, ka qenë edhe “Dragoviçi”.
Miqtë u shndërruan në armiq të përjetshëm. Ai mendonte vetëm për kokën e Talo Çelës.
“Armiku i armikut tim, është miku im”, kjo frazë bashkoi Nuredin Dumanin dhe Erjon Alibejn. Jo për miqësi, jo për besë, por për gjak.
Ata nuk kishin asgjë që i bashkonte, përveç urrejtjes për Talo Çelën. Dhe në botën e tyre, hakmarrja është më e fortë se çdo aleancë…
“Dua të shpjegoj që Nuredinin unë e kisha identifikuar dhe dija gjithçka për të. Kisha prova, kisha fakte, kisha foto, kisha adresa. Vjen Nuredini, e takoj. I them të betohem në kuran, që unë ta fal gjakun e vëllait, por mua mos më gënje për asgjë, m’qendro besnik, edhe m’thuaj të vërtetën si është. Pavarësisht se unë i di të gjitha. Dëgjo i thash, mua më intereson vetëm Talo Çela. Unë punë kam vetëm me Talo Çelën. Sepse Talo Çela, është një njeri që jeton në Elbasan, e njohin të gjithë. Di çdo rrugë, çdo gjë, njeh familjarët e mi, këtu në Elbasan”.
Pas atij takimi nuk u firmos paqja, u ndez fitili i një lufte që do përmbyste Elbasanin dhe Durrësin me gjak… Aleanca e tyre do linte pas shtatë trupa… dhe një luftë që sapo kishte nisur…



