Sot anëtarët socialistë të Këshillit Bashkiak do të mblidhen në një takim, ku një ndër temat që priten të diskutohen është shkarkimi i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. Kujtojmë se në mbledhjen e Asamblesë së PS-së, kryeministri Edi Rama iu kërkoi anëtarëve socialistë të Këshillit Bashkiak që të shkarkonin Veliajn, duke vendosur dhe një afat një javor.
Partia Socialiste do të futet në garë me kandidaturën e Ogerta Manastirliut për të kërkuar të marrin sërish drejtimin e Bashkisë së Tiranës. Nga ana tjetër burime pranë avokatëve të kryebashkiakut bëjnë me dije se Veliaj do të ankimojë vendimin, pasi është në procedurë e sipër për ta çuar çështjen në Strasburg, dhe një vendim i tillë humbet integritetin e procesit.
Si do të bëhet shkarkimi i Veliajt?
Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur:
a) kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve;
b) dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata;
c) propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.
Pika e fundit pritet që të jetë ajo që do të përdoret nga Këshilli Bashkiak për shkarkimin e Veliajt, që sërish do të duhet të çohet në kryeministri. Rama më pas duhet t’i propozojë presidentit mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por ky proces mund të zgjasë deri në 45 ditë.
Erion Veliaj mbahet nën masën e arrestit me burg që prej datës 10 Shkurt të këtij viti. Kryebashkiaku së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Në njoftimin e SPAK thuhet se çifti kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse (përmendur më sipër), të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për ‘shpërdorim detyre’, ‘pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’, ‘futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim’ dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim. /gazetajone



