indrit aliu kolleshi elisa spiropali

Ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali, tha dje se maxhoranca duhet të reflektojë dhe të dëgjojë më shumë duke e patur fjalën te protestat, teksa po hynte në seancën plenare.

Deklarata u bë në momentin kur gazetarët e pyetën se për çfarë lloj zgjidhjeje e kishte fjalën për protestat.

Intervista e Spiropalit mori vëmendje në media, nisur edhe nga fakti se qëndrimet e saj janë parë si një distancim publik nga kryeministri Edi Rama, të cilin e ka sfiduar disa herë me deklarata të drejtpërdrejta.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme, në celularët e deputetëve socialistë, por edhe në disa media online, po qarkullon një imazh i Spiropalit teksa konsumon kafe pranë Parlamentit me një person tjetër.

Nga verifikimet paraprake, bazuar te veshja, duket se takimi është zhvilluar gjatë ditës së djeshme, pasi Spiropali shfaqet me të njëjtën veshje.

Kuriozitet mes socialistëve ka ngjallur edhe personi që ndodhet përballë saj, si dhe tema për të cilën Spiropali mund të jetë konsultuar me të.

Burime mediatike bëjnë me dije se personi në foto është Indrit Aliu, i njohur edhe si Indrit Kolleshi, i cili rezulton të jetë arrestuar dhe dënuar të paktën dy herë për mashtrim në shuma të mëdha.

Nuk dihet se çfarë e lidh Spiropalin me Aliun apo cili ka qenë qëllimi i takimit pranë Parlamentit.

Megjithatë, fakti që një ish-ministre dhe figurë e lartë e Partisë Socialiste shfaqet në kafe me një personazh me këtë profil nuk ka kaluar pa tërhequr vëmendje në radhët e socialistëve.

Për momentin nuk ka një reagim publik nga Spiropali lidhur me foton apo takimin në fjalë. /gazetajone