ergys agasi ermal beqiri mirlinda

Ministria e Drejtësisë i përcjell dokumentacionin për ekstradimin e biznesmenit Ermal Beqiri autoriteteve franceze. Lajmi konfirmohet nga burime pranë Prokurorisë së Posaçme, ku sipas informacioneve SPAK i ka kërkuar ministrisë të dërgojë kërkesën e ekstradimit te organet ligjzbatuese franceze.

Bashkëngjitur kërkesës për ekstradim është vendosur edhe vendimi i Gjykatës së Posaçme për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj tij, si person që dyshohet se ka kryer 7 vepra penale.

Ermal Beqiri u arrestua disa ditë më parë në Francë, pasi u kap duke fluturuar me avion privat mbi një central. Pak ditë më parë SPAK njoftoi se ka kërkuar sekuestrimin e disa pasurive të biznesmenit Beqiri me origjinë kriminale të ndodhura në Francë, veçanërisht llogari bankare me një vlerë totale prej mbi dy milionë eurosh, dy apartamente, një kështjelle në departamentin e Oise rreth 2.6 milion euro, mjete motorike etj.

Ermal Beqiri kërkohet nga SPAK lidhur me abuzimet me tenderët e AKSH. Ndaj tij, SPAK ka ngritur veprat penale “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”  dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.