Zbardhet ngjarja e ndodhur në Sarandë, ku një automjeti të Mirash Gjikollës iu vendos lëndë plasëse.
Në një njoftim zyrtar policia e Sarandës, ka sqaruar se është identifikuar dhe ndaluar një 21-vjeçar, i dyshuar si bashkëpunëtor i dy autorëve të dyshuar të shpallur në kërkim për këtë ngjarje.
Gjatë operacionit për kapjen e 21-vjeçarit, Ignasjo Kaso, policia gjeti në banesën e tij dhe sekuestroi, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
21-vjeçari akuzohet si bashkëpunëtor i shtetasve në kërkim G. T. dhe Xh. B.
“Si rezultat i hetimeve të thelluara dhe intensive, të kryera për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të përfshirë në ngjarjen e mëngjesit të datës 05.02.2026, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Urës së Vrinës”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, finalizuan operacionin e koduar “Identifikimi”.
Gjatë operacionit u kap dhe u ndalua shtetasi I. K., 21 vjeç, banues në fshatin Shëndëlli, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka nxjerrë urdhër ndalimi për të, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, – bëri me dije policia vendore mes të tjerash.



